**In focus of our activities and our editions**
free flash banner on free flash banner

Feud

'This blood feud with kallashnikov is barbarian'

'This blood feud with kallashnikov is barbarian'

Nga Ismail Kadare
Shkrimtar
Writer


“ ... Kjo gjakmarrje shënon një epokë ku shteti nuk i detyronte ligjet e veta ... e rridhte nga një kod shumë i përpiktë, që nuk linte asgjë në hije ... në zonën e kanunit e drejta e vetgjykimit nuk ekziston...”

Nga parathënia e romanit


“Prilli i thyer”.

Kjo që po ndodh, s’ka të bëjë me kanunin shqiptar dhe është shumë barbare, kryhet me kallashnikov… Ngujimi i qindra grave dhe e fëmijëve në shtëpi për shkak të gjakmarrjes është një gjë e tmerrshme, e pabesueshme.

Posaçërisht për revistën “Ligji dhe Jeta”
Ismail KADARE

Korespodenti i Ligji dhe Jeta:

Z. Kadare, në krijimtarinë tuaj ka zënë një vend të rëndësishëm edhe gjakmarrja. Si do ta përkufizonit sot atë, si fenomen shqiptar, shqiptaro-ballkanik apo si një dukuri tipike të një shoqërie të çfarëdoshme në tranzicion?

Ismail Kadare:

Gjakmarrja është një dukuri e vjetër, jo vetëm ballkanike por universale. S’është e vërtetë se është veç specialitet shqiptar, siç paraqitet. Gjakmarrja vjen që nga antikiteti grek. E kam thënë disa herë që një pjesë e tragjedive greke e trajtojnë këtë dukuri universale, që njihet në të gjitha vendet. Është mëkat që shqiptarët ta pranojnë këtë si fenomen negativ veç të botës së tyre. Prandaj duhet ta kemi të qartë të gjithë, dhe pse është e vërtetë se këtu ka vazhduar më gjatë si insitucion, por vazhdon ende dhe në Korsikë të Francës, në jugun e Italisë dhe po ashtu në zona të veçuara të botës.

Korespodenti i Ligji dhe Jeta:

Çfarë komenti do të mund t’i shtonit sot dukurisë së gjakmarrjes të pasqyruar në novelën tuaj “Prilli i Thyer” botuar në fund të viteve 70?

Ismail Kadare:

Gjakmarrja sot, në Shqipëri, mendoj se e ka shpjegimin si reaksion kundër ndalimit të rreptë me ligj që i bëri komunizmi dhe u muar si “zakon i mirë”, që duhet të ringjallet. Por është zakon që s’duhej të ringjallej. Kjo që po ndodh, s’ka të bëjë me kanunin shqiptar dhe është shumë barbare, kryhet me kallashnikov. Eshtë një gjëmë e zezë, e trishtueshme dhe duhet të mbyllet se është turp për kombin shqiptar, sot. Ngujimi i qindra grave dhe fëmijëve në shtëpi për shkak të gjakmarrjes është një gjë e tmerrshme, e pabesueshme.

Korespodenti i Ligji dhe Jeta:

Cili do të ishte sipas jush interpretimi i sotëm për Kanunin?

Ismail Kadare:

Ky është një kod juridik zakonor i vjetër, i lindur në rrethana të caktuara historike. Në mungesë të shtetit është opinioni publik që merr rolin e tij. Kjo është bërë pjesë në historinë e popullit shqiptar. Ky është një kod i perënduar që s’duhet të ekzistojë në kohët moderne. Nga ky kod kanë kaluar shumë popuj. Por Shqipëria është e vonuar. Opinioni ynë duhet të bëjë çmos dhe emancipimi ynë duhet ta përjashtojë këtë kod, se ne kemi institucionet juridiko-shtetërore. Sigurisht, ky kod është bërë pjesë e historisë. Nuk gjykohet as i mirë, as i keq.

Korespodenti i Ligji dhe Jeta:

Në kushtet për pranimin në Europë, ndodhet dhe ai i heqjes së dënimit me vdekje. A është edhe ky një fakt i mjaftueshëm që shqiptarët ta mohojnë kanunin?

Ismail Kadare:

Ka mendime të ndryshme, por nuk mendoj se është shenjë e demokratizimit të lartë heqja e dënimit me vdekje, sikurse s’është shenjë e kundërt vënia e tij. Çdo shtet ka marrë nga rrethanat e veta. Europa e ka gjykuar kështu dhe mendoj se ne iu jemi bindur parimeve Europiane. S’ka asgjë të keqe. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbajnë këtë dënim. Ky është një shtet demokratik që mund të jetojë me këtë kod, sikurse mund të jetojë fare mirë dhe me heqjen e tij. Nuk besoj se ka ndonjë rëndësi kaq të madhe sa i japin. Nuk zgjidh kaq punë sa i japin rëndësi.

Korespodenti Ligji dhe Jeta:

Në vitin 1912 shqiptarët formuan shtetin e tyre. Edhe pas këtij momenti kanuni ka vazhduar të jetë prezent, si në jetën e përditshme ashtu edhe për probleme që kërkojnë drejtësi. A mund të pranojmë që nëpërmjet kanunit të vendosim rregull?

Ismail Kadare:

Kjo është drejtësi paralele që nuk mund të bashkëjetojë me drejtësinë e shtetit, në anjë rend shqëror, në asnjë vend. Eshtë e vërtetë se kanuni i respekton rregullat deri në mani, por ato janë rregulla zakonore. Rregullat zakonore kanë ndryshim nga ato shteterore. Mund të pajtohen në një pjesë por s’mundet që kanuni të sfidojë rregullat shtetërore, ose penaliteti shtetëror të kryhet duke u zëvendësuar nga kanuni.

Korespodent i Ligji dhe Jeta:

Jo vetëm në veri por dhe në zona të tjera të vendit përdoret tradita pozitive që buron nga kanuni për pajtimin dhe zgjidhjen e konflikteve. A mendoni se kjo praktikë bie në kundërshtim me autoritetin e shtetit.

Ismail Kadare:

Çdo gjë që është pozitive mund të përdoret derisa popullsia e atyre zonave të bindet që kjo do të zëvëndëshet nga shteti. Nuk ka asgjë të keqe nëse ajo shërben për të arritur diçka pozitive. Theksoj se kjo duhet të jetë kalimtare.



Partners