Në fokusin e aktiviteteve dhe botimeve tona **In focus of our activities and our editions**
free flash banner on free flash banner

Aktivitetet Tona

Fjala e Z. Gjin Marku Kryetar i Komitetit tė Pajtimit Mbarėkombėtar

Fjala e Z. Gjin Marku Kryetar i Komitetit tė Pajtimit Mbarėkombėtar



Të nderuar misionarë
Të nderuar kolegë nga Maqedonia, Kosova e mali i Zi.
Të nderuar përfaqësues të zgjedhur të popullit

 

Ju falenderoj për pjesëmarrjen në këtë Kongres të Katërt, dhe fillimisht do të doja të falenderoja në mënyrë të veçantë disa nga misionarët tanë për punën dhe përpjekjet e tyre të vazhdueshme në procesin e pajtimit si Adem Isufin e Ymer Myrten në Postribë që kanë garantuar se atje nuk do ketë kurrë gra e fëmijë të ngujuar ashtu si dhe në shumë zona të tjera në saj të angazhimit të përsosur të grupeve tona të punës.


Me 14 korrik të vitit 1991, jemi mbledhur kështu si sot në Kuvendin e Pukës ku kishim edhe përfaqësuesit e pushtetit lokal nga veriu e Jugu.


Atje ne vendosëm që të aplikojmë vendmmarrjen në komunitet dhe traditën pozitive për lënien e përgjegjësisë së vrasjes mbi fajtorin që të ndiqet penalisht nga shteti si dhe izolimin nga shoqëria të trafikantëve të femrave, të drogës e të armëve si burim kryesor të vrasjeve për hakmarrje e gjakmarrje.


Mbas këtij Kuvendi u reflektua në shumë zona.


Krahas punës së misionarëve të pajtimit vendimmarrja në komunitet ka bërë të mundur që edhe në Malësinë e Madhe, ku udhëheqin misionarët Pashko Toma e Palok Luni të mos ketë gra e fëmijë të ngujuar apo të friksuar nga hakmarrja mbi to.


Rezultatet e punës së misionarëve të pajtimit për aplikimin e traditës pozitive e të vendimmarrjes në komunitet për moslejimin e grave e të fëmijëve të ngujuar tashmë i gjejmë në Mirditë me përfaqësuesit tanë të mirënjohur si Marie Biba e Bardhok Sulejmani, në Has, Kukës, Tropojë e Dibër ku punojnë me përkushtim Adem Hyseni, Avdi Cenaj, Avdi Rexha, Zenun Alia, Muhamet Alia e qindra burra të tjerë akoma më shembullorë.


Të gjithë krenohemi me reputacionin që ka krijuar Ndue Cara si misionar e drejtues i pushtetit lokal në Mirditë, Gjok Malçi në Kurbin, Ndue Zefi, Xhemal Veseli e Idriz Xaka në Fush Krujë, Musa Abazi në zonën e Benës, Ndue Ndoci e Fatos Ajazi në Tiranë, Pashk Lleshi, Mahmut Coka, Mud Krashi e Mus Marku në zonën e Durrësit, Vangel Bello, Rako Nushi e Pasho Uruçi në Lushnë e  Fier.

Sigurisht lista e veprimtarëve do ketë një moment tjetër nderimi për secilin por sot dua të ndalemi më shumë në fenomenin më të rëndë që na shqetëson të gjithëve mbas vrasjeve të shumta, siç është ngujimi i grave dhe i fëmijëve.


Ky ngujim është një nga dhunimet më flagrante të të drejtave të njeriut, sjellja më kriminale ndaj grupeve të pambrojtura të shoqërisë, që bie ndesh me çdo normë e traditë shqiptare.
Lejimi i këtij fenomeni është një nga elementët më turpërues për çdo shqiptar.


Në këtë kuadër Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar ka vendosur të përqëndroje ekspeditat e pajtimit kundër këtij fenomeni. Moslejimi i ngujimit dhe lirimi pa kushte i të gjithë fëmijëve dhe grave është detyrë jo vetëm e shtetit por në radhë të parë e shoqërisë dhe komunitet ku ndodhin këto raste.


Në shumicën e hasmërive që shkaktojnë ngujimin e grave dhe të fëmijëve, kjo ka ndodhur nga frika më shumë se sa nga kërcënimi i palës së viktimës. Kontakti ynë me palët në këto raste si dhe i palëve mes njëri tjetrit muk ka qenë në nivelin e duhur prandaj edhe ato mbeten në atë gjendje tragjike.


Grupet e punës kanë konstatuar se edhe pse nuk ka kërcënim direkt për jetën e fëmijëve dhe grave, frika i detyron ata të ngujohen. Në disa raste të tjera konstatojmë se gratë e fëmijët e ngujuar janë më shumë viktimë e presionit të krimit të organizuar se sa e qëndrimit të familjeve që kanë hasmëri me to.


Komiteti i Pajtmit Mbarëkombëtar ka patur sukses në afrimin e dialogut midis familjeve në hasmëri, dialog i cili në shumicën e rasteve ka sjellë lirimin pa kushte të grave dhe fëmijëve të ngujuar, pasi shumica e familjeve të viktimës nuk kanë asnjëhere synim të lëndojnë apo të marrin hak tek gratë dhe fëmijët. Është vetëm mungesa e dialogut dhe garancisë për jetën që i detyron këto gra e fëmijë të mbyllen në shtëpitë e tyre.


Eksperienca jonë, në zonat Posrtrribë, Malësi e Madhe, Mirditë, Pukë, Dibër, Kukës, Has e Tropojë, ka treguar se kur arrihet të ketë dialog, qoftë dhe minimal dhe kur komuniteti influencon mbi familjet në konflikt rreth rregullave të traditës, presioni social është shumë i madh që këto familje të pranojnë të paktën lirimin pa kushte të grave dhe fëmijëve.
Ne mendojmë që edhe në rastet kur dialogu midis palëve është i pamundur për tu vendosur, shembujt positive në të njëjtin lokalitet zakonisht krijojnë presionin e nevojshëm që edhe këto familje të pranojnë të paktën lirimin e grave dhe fëmijëve të ngujuar.


Në këtë këndvështrim është shumë e rëndësishme që resurset e shumta që hidhen mbi projekte për gratë dhe fëmijët e ngujuar, të fokusohen më tepër në lirimin e tyre, se sa të pranojnë të mirëqenë faktin që ata do mbeten gjithmonë të ngujuar.


Normalisht, shume nga këto familje kanë nevoja rehabilituese gjate dhe pas mbylljes se konfliktit, dhe projektet që fokusohen në këtë pikë mund të jenë të dobishme, por për secilën nga këto familje, parësore është fitimi i liriës dhe dalja nga ngujimi.


Prandaj është e natyrshme, që përqëndrimi kryesor i burimeve duhet të jetë tek lirimi i këtyre grave dhe fëmijëve, duke patur parasysh faktin që ky është një objektiv i arritshëm nëse bazohemi tek eksperianca jonë.


Është e papranueshme që organizata e individë që nuk kanë eksperiencën e duhur në lidhje me natyrën e hasmërive dhe nuk kanë asnjë dijeni mbi traditën, shkaqet e pasojat e këtij fenomeni, të financohen nga donatorë shtetëror dhe të huaj për projekte që i mbajnë fëmijët të ngujuar. Këto projekte janë të destinuar për të dështuar që në nisje sepse janë krijuar për të përmbushur standarde formularësh dhe jo për të zgjidhur problemet e këtyre fëmijëve.

Megjithe përpjekjet tona të vazhdueshme në procesin e pajtimit, situata e konflikteve mbetet shqetësuese dhe numri i vrasjeve me vetëgjyqësi është jashtëzakonisht i lartë. Vetëm në dy muajt e fundit 25 vetë janë vrarë me armë zjarri brenda territorit të Shqipërisë, pa llogaritur Shqiptarët që kanë humbur jetën si pasojë e konflikteve në vendet fqinje si Italia apo Greqia.
Akoma më shqetësues është fakti që këto vrasje vijnë në një kohë kur policia e shtetit është urdhëruar për tu angazhuar më shumë se zakonisht në parandalimin e krimit të vrasjes. Në keto kushte ky Kongres përveç strategjive afatgjata për shuarjen e fenomenit të gjakmarrjes do të fokusohet në diskutimin e planeve imediate për rikthimin e rendit dhe mbajtjen nën kontroll të hasmërive gjatë kësaj periudhe delikate.


Situata tragjike e vrasjeve me vetëgjyqësi, nxjerr dhe një herë në pah natyrën komplekse të fenomenit të gjakmarrjes, dhe nevojën e angazhimit dhe koordinimit të të gjithë faktorëve të shoqërisë për mbajtjen nën kontroll dhe shuarjen e hasmërive.


Disa muaj me parë disa ndryshime legjislative me përcaktim ndaj vrasjeve për gjakmarrje u trumbetuan me force si përgjigje e shtetit ndaj ketij fenomeni.
Pa u konsultuar dhe pa marrë parasyshë sugjerimet tona ligji u miratua nën presionin e propagandës.


Që nga dita e miratimit të ligjit vrasjet janë dyfishuar. Megjithë qëllimin e mirë dhe idetë që në pamje të parë tingëllojne të arësyeshme, një shqyrtim i vëmëndshëm çon detyrimisht në konkluzionin që këto ndryshime ishin të destinuara të dështonin pasi ato nuk marrin aspak në konsideratë shkaqet dhe burimet e këtyre krimeve.


 Numri i lartë i vrasjeve mbas implementimit të tyre është një matës i qartë i dështimit të këtyre masave ligjore propagandistike që kanë brenda dhe artifice. Këto artifice krijohen nga qëndrimet e papërgjegjshme e jo profesionale të hartuesit apo inicuesit të këtyre ndryshimeve të quajtura drastike nga vetë ministri, krejtësisht i papërgjegjshëm dhe qesharak para qytetarëve.


Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar vazhdimisht ka theksuar se vrasjet me vetëgjyqësi janë reagim i një shoqërie të pambrojtur ndaj mungesës së shtetit ligjor e drejtësisë.
Kryerja e ketyre vrasjeve nën psikologjinë dhe mentalitetin e deformuar kanunor, shkelin në mënyre flagrante si ligjin edhe kanunin. Fatkeqësisht ky fenomen ndodh dhe është dëshmi e një shoqërie që e do rregullin dhe shtetin ligjor por që është e çorganizuar nga kriza të njëpasnjëshme të shkaktuara nga mungesa e një klase politike të përgjegjshme që punon për ndërtimin e shtetit e demokracisë.


Mungesa e besimit të qytetarëve tek shteti është problemi themelor që duhet të na preokupojë për të mos e lejuar shoqërinë të rrënohet më tej. Kjo mungesë besimi vjen pasi vetë procesi i miratimit dhe zbatimit të ligjit, ka humbur kontaktin me njerëzit. Komunitetet që këto ligje supozohet ti shërbejnë, siç është dhe rasti i mësipërm i ndryshimit në kodin penal për vrasjet për gjakmarrje, e ato brenda familjes, nuk thirren në dialog e bashkëbisedim përpara se të miratohet ligji. Ligjet shpesh bëhen nga grupe të ngushta interesi që janë në kundërshtim me interesat e qytetarëve.


Sic theksohet dhe në draft raportin e këtij Kongresi, Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar e ka gjykuar si jo efektive, dhe te pa studiuar, specifikimin e vrasjes per gjakmarrje sepse janë vetëm vrasje me vetgjyqësi. Ato nuk mund të quhen të tilla  sepse nuk janë aplikuar me sjellje e rregulla kanunore që si shmang dot dhe ishe i detyruar ti zbatoje në respekt të viktimës, të afërmëve të tij si dhe të shoqërisë. Rritja e dënimit të vrasjeve për gjakmarrje dhe lënia e lirë e vrasësit të parë që e shkakton gjakmarrjen, apo dënimi i zakonshëm i tij sipas ligjit që nuk shkon më shumë se 10 vjet nga përfitimet që merr, është një nonsens, një veprim kriminal i inicuesit për të inkurajuar e lënë të lira vrasjet e të gjitha llojeve mjafton të mos deklarohen se janë për gjakmarrje. Për të qenë më efikas ligji duhet të shprehet qartë e me penalitet maksimal për vrasjen si vrasje, pa specifikime. Biles edhe kanuni përcakton vetëm fjalën vrasa si penalitet. Pra çdo vrasje duhet të ketë dënimin maksimal, jo më pak se 25 vjet burg deri në burgosje të përjetshme pa të drejtë amnistie.

 

Ligji i ri që penalizon me dënim maksimal vrasjen për gjakmarrje nuk e penalizon vrasjen fillestare që shkakton gjakmarrjen ose e nxit atë. Logjika është në kundërshtim si me të drejtën ashtu edhe me politikën penale për parandalimin e vrasjeve. Me pranimin e krimit vrasësve të parë u zbriten 8 vjet nga ky dënim dhe me përfitime të tjera nga ligji kjo masë dënimi zakonisht shkon nga 10 deri në 12 vjet. Prandaj është e domosdoshme të vendoset dënimi maksimal i çdo lloj vrasje pa cilësuar vetëm vrasjen për gjakmarrje. Nëse vrasjet pa dallim dënohen jo më pak se 25 vjet burg  deri në burgim të përjetshëm athere kemi parandalimin e krimit të gjakmarrjes, edhe të deformuar, sepse është vendosur në një farë mënyre ballanca. Edhe specifikimi i dënimit maksimal të vrasjes për shkak të detyrës apo cilësive të veçanta të personit bie në kundërshtim me të drejtën e jetës së qytetarit të zakonshëm. Vlera e jetës është e barabartë për secilin dhe nuk është etike që të bëhen dallime. Nuk mund të jetë jeta e kryetarit të shteti apo e një punonjësi policie më e shtrenjtë se jeta e qytetarit të zakonshëm. Kur polici vritet në detyrë familjes i akordohen trajtime të posaçme nga ligji që një i varfër si merr kurrë.


Në të njëjtën frymë ishin dhe ndryshimet në ligj për vrasjet brenda familjes. Rritja e dënimit për të tilla vrasje, që jo pak herë kanë tronditur opinion nuk mund të jetë kurrësesi një zgjidhje e mjaftueshme e problemit. Të tilla krime kanë qenë shumë të rralla në Shqipëri, dhe shtimi i tyre në vitet e fundit është alarmant pasi janë shenja të një shoqërie që po humb normat dhe kohezionin social që, edhe në mungesë të shtetit ligjor, ndihmonte ruajtjen e rendit dhe bashkjetesën në harmoni. Ekspertë të fushave të kriminalistikës, sociologjisë dhe psikologjisë duhet te hulumtojnë me thellë natyrën e këtyre vrasjeve dhe rritjen shqetësuese te numrit të tyre në menyrë që të krijohet një strategji e qartë për një parandalim efikas të tyre në të ardhmen, për ruajtjen dhe kultivimin e disa normave sociale dhe morale që mundesojnë krijimin e një shoqërie të shendoshë, që respekton të drejtat e individit dhe barazinë gjinore.


Gjithashtu toni i përdorur gjatë prezantimit të këtyre nismave ligjore, të servirura si luftë kundër fenomenit të gjakmarrjes dhe kundër krimit brenda familjes përmban elemente konfliktualiteti që ndoshta nuk i shërbejnë zgjidhjes së problemit. Ne jemi të mendimit që debati për eleminimin e vrasjeve me vetëgjyqësi duhet të jetë në kuadrin e vendimmarrjes gjithëpërfshirëse në komunitet dhe në frymën e faljes dhe të pajtimit, pasi kjo është e vetjma mënyrë efikase për rikthimin e besimit të qytetarëve tek shteti. Vetëm një reformë e gjerë ligjore, dhe një debat konstruktiv dhe pozitiv që angazhon të gjithë faktorët e shoqërisë, duke filluar nga qeveria, parlamenti, organizatat jo-qeveritare, pushtetin lokal, kleri, e vetë familjet në hasmëri, sëbashku me të afërmit dhe fqinjtë e tyre, do të mund të parandalojnë vrasjet me vetëgjyqësi dhe do të mundësojnë zgjidhen e konflikteve në rrugë ligjorë.


Në të njëjtin kuadër, Komitetit i Pajtimit Mbarëkombëtar, e mirëkuptoi qëllimin e mirë të Kishës Katolike kur ajo vendosi çkishërimin e atyre  që vrasin për gjakmarrje, por ne jemi të mendimit që rruga më e mirë për ndalimin e këtyre vrasjeve është nëpërmjet mesazhit të faljes e pajtimit, mesazhe që qëndrojnë bindshëm në themelet e të gjitha feve dhe që ofrojnë zgjidhje afatgjata.

Një tjetër problem shqetësues që Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar ka ngritur përherë është ai i konflikteve për pronat. Siç theksohet dhe në draft raport, mishmashi ligjor gjatë këtyre viteve të tranzicionit, ka bërë që në gjykatat shqiptare të jenë regjistruar rreth 120 000 çeshtje konfliki pronesie. Efektet e kësaj anarkie në numrin e hasmërive dhe konflikteve janë në disa drejtime. Se pari shume familje kane vendosur që çështjet ti zgjidhin jashtë gjykatës. Në disa raste zgjidhjet jashtë gjykatës janë të sukseshme, por në mijëra raste konflliket për pronën janë në prag të kthimit në hasmëri edhe midis familjeve me lidhje gjaku. Shumica e hasmërive dhe vrasjeve të ndodhura vitet e fundit kanë si pikënisje një konflikt pronësie.


Se dyti, pasja e titujve të pakontesteshëm të pronësisë mbi tokën është kusht i domosdoshëm për funksionimin e një ekonomie moderne tregu që ne aspirojme të ndërtojmë, pasi prona private është baza kryesore pa të cilën asnjë biznes nuk mund të egzistojë e për më tepër të jetë i sukseshëm.


Shanset ekonomike të humbura si pasojë e konflikteve për pronën kanë varfëruar shumë familje dhe kanë penguar shumë të tjera që të dalin nga skamja. Duke ditur se varfëria dhe gjendja e vështirë ekonomike është një faktorët që ndikon në rritjen e numrit të vrasjeve, problemi i titujve të pronësisë bëhet kështu dhe indirekt faktor në rritjen e numrit të hasmërive.


Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar shpreh mbështetjen e tij për çdo plan dhe nismë të qeversië për vendosjen sa më shpejt të rendit, si dhe për një zgjidhje përfundimtare të problemit të pronave, si dy nga faktorët kryesorë të konflikteve dhe hasmërive. Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar gjithashtu thekson se do të monitorojë në terren, zbatimin e këtyre planeve dhe do të jetë një nga zërat oponentë më të fuqishëm në rast dështimi, qoftë ky dështim për mungesë vullneti politik apo paaftësie në implementim.


Ne si misionarë pajtimi duhet të punojmë fort për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian pa fenomenin e gjakmarrjes. Por, kjo nuk do të thotë që në përpjekjet tona për integrim dhe për arritje marrëveshjesh në letër, ta fshehim dhe të mos pranojme egzistencen e problemit të vrasjeve me vetëgjyqësi. Siç theksohet dhe ne raport, integrimi i vertetë nuk është nënshkrimi i marrëveshjeve të realizuara mbi iluzione, por konsolidimi i democracisë dhe shtetit ligjor. Integrimi në BE nuk duhet të jetë vetëm synim në vetëvete, por një udhërrëfyes dhe peshore e përparimit të democracisë dhe prandaj manipulimi i peshores nëpërmjet fshehjes së realitetit nuk i shërben integrimit të vertetë mes kombeve të qytetëruara me demokraci funksionale.


Ne jemi të mendimit se zgjidhja e problemit të vrasjeve me vetëgjyqësi kërkon krijimin e një fronti të përbashkët të të gjithë faktorëve të shoqërisë. Për këtë arësye është shumë e rëndësishme që secili prej nesh të bëjë detyrën e tij si qytetar i këtij vendi, dhe të ndërgjegjësohet për përgjegjësitë e tij për të ndërtuar një vend ku mbizotron ligji, të sensibilizojë të tjerët mbi nevojën e një shteti modern të së drejtës. Çdo nismë e qeverisë, shoqërisë civile, apo çdo faktori tjetër për sundimin e ligjit dhe shuarjen e vrasjeve me vetëgjyqësi është e destinuar të dështojë nëse të gjithë faktorët nuk koordinohen sëbashku dhe secili luan rolin që i takon.


Presioni dhe influencimi që komuniteti i bën familjeve në hasmeri, për rrespektimin e ligjit është forca më efikase në procesin e pajtimit, dhe është nga format më të pastra të demokracisë aktive që praktikohet në vëndet më të civilizuara të botës.


Kompleksiteti i fenomenit të gjakmarrjes e bën të domosdoshme përfshirjen e secilit prej nesh për ti dhënë fund një herë e përgjithmonë të tilla praktikave që nuk i kanë hije një kombi me kulturë dhe traditë shtetformuese të kultivuar ndër shekuj.


Është detyra jonë si misionarë pajtimi që këtë mesazh dhe thirrje për angazhim ta përcjellim në çdo derë që trokasim dhe Krishtlindjet e vitit 2013 të mos gjejnë fëmijë e gra të ngujuara. Kam bindjen se do ta arrijmë këtë synim madhor, sado i vështirë në dukje, nëse jemi në një front të përbashkët me shtetin dhe komunitetin ndërkombëtar.                              

 

 

Ju faleminderit.

 

 

 



Bashkëpuntorë