Në fokusin e aktiviteteve dhe botimeve tona **In focus of our activities and our editions**
free flash banner on free flash banner

Levizja Feministe

Rezolute per ndalimin e dhunes ndaj gruas dhe barazine gjinore ne vendimmarrje

Rezolute per ndalimin e dhunes ndaj gruas dhe barazine gjinore ne vendimmarrje

 

 

 

Nga Komiteti i Pajtimit Mbarkombëtar
Committee of Nationwide Reconciliation

REZOLUTË
PËR NDALIMIN E DHUNËS NDAJ GRUAS DHE BARAZINË GJINORE
NË VENDIMMARRJE

DALË NGA
KONFERENCA KOMBËTARE
MBI INKURAJIMIN E LËVIZJES FEMINISTE SHQIPTARE
KUNDËR DHUNËS, SHFRYTËZIMIT DHE SUNDIMIT MASKILIST

Lushnjë më 23 Nëntor 2002



Konferenca Kombëtare "Mbi Inkurajimin e Lëvizjes Feministe Shqiptare" kundër dhunës, shfrytëzimit dhe sundimit maskilist, u zhvillua në Lushnjë, me 23 nëntor 2002. Ajo u organizua nga Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar, me propozim të 112 grave dhe vajzave, aktiviste të komitetit të pajtimit të komunës së Fier Sheganit. Morën pjesë gra e vajza intelektuale nga rrethet e tjera të vendit, nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi. Ishin prezentë përfaqësues të shtetit shqiptar, organizmave ndërkombëtare, trupit dipllomatik, partive politike, mediave shqiptare dhe të huaja, organizatave joqeveritare.

KONFERENCA VLERËSOI

a) -Kontributin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Këshillit të Europës dhe Bashkimit Europian për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, veçanërisht të grave dhe fëmijëve,

b) -Kontributin e organizatave ndërkombëtare të grave dhe përvojën e vendeve europiane për sigurimin e balancës gjinore në vendimmarrje.

c) -Përpjekjet e mediave në Shqipëri për mbrojtjen e femrës nga dhuna dhe diskriminimi.

d) -Mbështetjen e kësaj lëvizje nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe Kryetari i Parlamentit Shqiptar, të cilët garantuan se do të jenë aleatë të sigurtë të saj, deri në arritjen e objektivave përfundimtare.

KONFERENCA THEKSOI:

Lëvizja Feministe Shqiptare, kundër dhunës, shfrytëzimit dhe sundimit maskilist, nuk është "lëvizje tendencioze kundër seksit mashkull" por lëvizje për progres, për mbrojtjen e lirisë e të drejtave themelore të grave e vajzave shqiptare. Ajo nuk sjell antagonizëm sepse është themeluar dhe po inkurajohet nga përfaqësues të të dyja gjinive. Termi "Lëvizje Feministe" është përdorur për të tërhequr vëmendjen në favor të kërkesave të shprehura me nocionet "Barazi Gjinore" dhe "Të drejta të barabarta" të cilat, deri tani, janë konsumuar pa zgjuar interesin e duhur.


KONFERENCA KONSTATOI:

Populli shqiptar ruan mentalitetin patriarkal në familje dhe traditën e sundimit të mashkullit në shoqëri, gjë që ka penguar zhvillimin dhe rënduar jetën e grave, vajzave dhe të fëmijëve. Krijimi i një hapsire shqiptare të qytetëruar, paqësore e të qëndrueshme, do të jetë i pamundur pa angazhimin e pjesmarrjen e plotë të grave e vajzave në vendimmarrje dhe në të gjitha fushat jetës.
Dominimi i mashkullit në politikë dhe shoqëri gjatë viteve të tranzicionit, ka sjellë dhunë, konfliktualitet dhe ngjarje tragjike, çrganizimin e ç'orientimin e shoqërisë dhe mungesën e shtetit ligjor, egon për pushtet e pë t'u pasuruar shpejt, korrupsionin dhe krimin e organizuar, trafikun e femrave, minorenëve, armëve dhe drogës, vrasjet për hakmarrje e gjakmarrje, dhunën në familje, rritjen e influencës së patriarkalizmit e përdorimin jashtë kritereve tradicionale të Kanunit.


Popullsia shqiptare, veçanërisht e zonave rurale dhe e periferisë së qyteteve është në gjendje të stresuar nga mungesa e ushqimit, dritave, ujit dhe sigurisë për jetën. Gratë dhe fëmijët në këto zona jetojnë në kushtet e mjerimit ekstrem. Pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare ka humbur besimin tek shteti dhe shpresën për të ardhmen.


Varfëria dhe krimi i organizuar kanë bërë që, më shumë se 30 000 gra e vajza, të punojnë si prostituta, 15 000 prej tyre janë në Itali, mbi 5000 në Greqi, ndërsa 10 000 të tjera , në vendet e ndryshme të Europës Perëndimore. 4000 fëmijë janë tregëtuar dhe shfrytëzohen nga tutorët. 80 % e grave dhe vajzave që prostituojnë janë nën diktatin e individëve të inkriminuar më parë me vrasjet, trafikimin e drogës dhe armëve. Gjatë vitit 2002 u dhunuan në mënyrë tragjike, nga bashkëshortët, 26 familje. Nga vrasjet për hakmarrje e gjakmarrje u është marrë jeta rreth 3000 vetëve, duke u privuar gëzimin dhe lumturine fëmijëve dhe grave që detyrohen te mbyllen brenda nga frika e hasmit. Nga ky izolim, 712 fëmijë nuk kanë mundur të vazhdojnë shkollën. Nga raportet e organizatave joqeveritare në terren, konfirmohet se rreth 100 mijë shtëpi mbajnë akoma armë, 1300 baballarë kanë ikur jashtë shtetit nga frika e vrasjes dhe familjet nuk e dinë se ku ndodhen.


Popullsia shqiptare është relativisht me moshë mesatare të re, 65% e saj është nën moshën 40 vjeçare dhe 52% e kësaj moshe janë femra. Kjo konfirmon se rreth një milion gra e vajza të reja, pjesa më aktive, izolohet dhe kapaciteti i tyre nuk vihet në shërbim të komunitetit. Në pjesën më të madhe të familjeve shqiptare, femra ndjehet inferiore për shkak të mentalitetit të shoqërisë. Nënat e këshillojnë vajzën që:"..të jetë e urtë dhe të dëgjojë fjalën e vëllait e, kur të martohet, të burrit, sepse burri është burrë...". Kështu gruaja shqiptare e sajon vetë izolimin dhe dhunën, që më vonë do të ushtrohet mbi të. Nga anketimet del se mbi 70% e çifteve të reja, të sapomartuara, i gëzohen lindjes së djalit më shumë se të vajzës.


Bindja tradicionale se gratë janë inferiore, apo një destinim i përcaktuar në shërbim të jetës së mashkujve, i ka bërë dhe vazhdon ti bëjë të paefektshme edhe mjetet ligjore për mbrojten e tyre nga dhuna. Shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të grave nuk kanë mundur të jenë kritike dhe të tërheqin vemendjen e opinionit. Ato përbëhen vetëm nga gra, në mesin e tyre nuk kanë asnjë burrë. Botimet dhe aktivitetet e tyre sajohen mbi shabllone të botimeve ose të projekteve të njëra tjetrës ose të huazuara nga shoqatat europiane.


Opinioni qytetar nuk i njeh akoma çështjet e kulturës dhe balancës gjinore sepse këto botime nuk janë përshtatur për publikun shqiptar. Termat "barazia midis burrit dhe gruas" dhe "të drejta të barabarta", që përdoren rëndom, nuk tërheqin vëmendjen sepse jane konsumuar gjatë sistemit socialist.


Komuniteti i grave në Shqipëri, zë vetëm 4% në sferat e larta të drejtimit të vendit. Rasti i vetëm pozitiv është në kryesinë e parlamentit ku dy zëvendëset janë gra. Femra, edhe pse është në të njëjtin nivel arsimimi me mashkullin, mbetet larg karrierës e veprimtarisë krijuese. Nga 222 profesorë që ka sot vendi ynë, vetëm 13 janë gra. Nga 140 deputetë në Kuvendin e shqipërisë, zonja janë vetëm 8. Të 13 komisionet parlamentare drejtohen vetëm nga burrat. Nga 19 anëtarë të kabinetit të qeverisë, vetëm 2 janë zonja. Nga 23 zevendësministra, femra janë vetëm 4. Nga 14 anëtarë të këshillit të lartë të drejtësisë,vetëm 1 është zonjë. Nga 26 kryetarë të gjykatave të shkallës së parë, zonja janë vetëm 3. Nga 309 kryetarë komunash, femra janë vetëm 5, po kështu nga 65 kryetarë bashkie femra janë vetëm 8.


Gratë e afta profesinalisht, po të ftohen e kryejnë me dinjitet detyrën. Kjo u provua në përzgjedhjen e kandidaturave për drejtimin e gjykatave të apelit ku ato zunë 50 % të vendeve si kryetare..


Në dikasteret, ku janë përfshirë një numër i konsiderueshëm grash e vajzash, ato punojnë, kryesisht, si nëpunëse të thjeshta dhe drejtohen nga burrat. Mbi 90 % e ekonomisë në shkallë vendi zotërohet nga mashkujt. Vetëm 8% e biznesit të femrave mbështetet me kredi. Raporti ekonomik midis dy gjinive është 1 me 5 në favor të mashkujve.
25000 vajza dhe djem, që kanë mbaruar arsimin e lartë, kërkojnë të emigrojnë jashtë vendit sepse atyre nuk u janë ofruar vende pune në administratën e shtetit sepse janë zënë nga militantë partiakë.


KONFERENCA VENDOSI:

T'u drejtohet institucioneve të shtetit shqiptar dhe shoqërisë civile, ambasadorëve të akredituar në Tiranë, Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, OSBE-së, Qeverisë së Shteteve të Bashkuarara, për mbështetjen e kësaj lëvizjeje duke kërkuar që:

1-Së pari e mbi të gjitha, shteti dhe shoqëria shqiptare të gjejnë mjetet e duhura për çrrënjosjen e dhunës kundër grave, vajzave e fëmijëve, një nga shkeljet më flagrante të të drejtave të njeriut.

2-Institucionet ligjvënëse të shtetit shqiptar dhe partitë politike të themelojnë aktin kushtetues të balancës gjinore në vendimmarrje. Për kushtet specifike të vendit tonë, të sanksionohet me kushtetutë që, në parlamentin shqiptar, në këshillat bashkiake e komunale të mos ketë më pak se 40% gra.

3-Qeveria Shqiptare të marrë masat dhe vendimet përkatëse që, të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, të hapin dyert e në to të jetë prezenca e domosdoshme e gruas, jo vetëm si nëpunëse e thjeshtë, por dhe si drejtuese.

4-Ftohen Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare të rishqyrtojnë ligjet që nuk i përshtaten inkurajimit të barazisë gjinore dhe favorizojnë diskriminimin e femrës, si psh. orari i punës, vendi i punës, kultura e mjedisit, trajtimi gjatë shtatzanisë, ngacmimi dhe bezdisja seksuale etj.

5-Ftohen Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare të nxjerrin akte ligjore e nënligjore që ngushtojnë raportin e të ardhurave ekonomike midis femrës dhe mashkullit në shoqërinë shqiptare. Të hartojnë e të nxjerrin ligje që mbrojnë dhe favorizojnë interesat ekonomike të femrës, barazinë gjinore në tregun e punës, në bizneset, në kreditë dhe vendimmarrjet ekonomike.

6-Ftohen Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare të transformojnë kabinetin qeverisës për t'i ardhë në ndihmë luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duke vënë në krye të digastereve qëndrore të financave, të ndjekjes, hetimit e zbatimit të ligjit, drejtorive tatimore dhe doganave, gra që vijnë nga auditoret e universitetit dhe shoqërisë civile. Të hartohet ligji i ri për shërbimin informativ, korrupsionin dhe verifikimin e pasurisë së politikanëve nga një ekip jashtëparlamentar i përbërë kryesisht nga gra e vajza, përfaqësuese të universitetit, shoqërisë civile dhe organizmave ndërkombëtare.

7-Ftohen partitë politike të rishikojnë procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve për në forumet drejtuese të partive dhe të përgatisin stafet për vjeljen e të dhënave mbi aftësitë e kandidatëve në listat për këshillat bashkiakë e komunalë, për deputetët, për kandidatët e kabinetit qeveritar dhe të administratës lokale, që të kenë raporte sa më të drejta midis dy gjinive.

8-Organet shqiptare të ndjekjes, hetimit dhe zbatimit të ligjit të ngrenë nivelin e bashkëpunimit me komunitetin dhe shoqërinë civile për zbulimin, parandalimin dhe ndëshkimin e operatorëve të krimit të organizuar, të trafikantëve të femrave, të drogës, armëve dhe minorenëve.

9-Ftohen Parlamenti dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë të shfuqizojnë ligjin që dënon gratë dhe vajzat që prostituojnë dhe të nxjerrin akte ligjore në mbrojtje të tyre nga dhuna e shfrytëzimi i tutorëve. Të rritet masa e dënimit për trafikantët dhe tutorët.

10-Ftohen Parlamenti i Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare të inkurajojnë aktivetetet e forumeve politike të grave duke përcaktuar dhe specifikuar, në ligjin për financimin e partive politike, fondet e tyre të veçanta.

11-Qeveria Shqiptare, në bashkëpunim me OJQ-të, të krijojë organizmin e nevojshëm për të ndihmuar arritjen cilësore të balancës gjinore në administratë, duke siguruar një buxhet minimal për seminaret treinuese të përfaqësuesve të kabineteve.

12-Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, të ngrejë në një nivel më të lartë punën edukative në shkolla, që fëmijët të paisen me njohuri më të plota mbi barazinë gjinore dhe detyrimet ndaj femrës në një shoqëri contemporane. Të ndalohet praktika e disa kolegjeve që bëjnë ndarjen e djemve nga vajzat gjatë procesit të mësimdhënies. Të rishikohen tekstet mësimore që hymnizojnë luftrat dhe kanë përmbajtje të theksuar nacionaliste e patriotike.

13-Ftohen bashkitë dhe komunat për ruajtjen e barazisë gjinore në stafet e administratës publike dhe plotësimin e tyre, kryesisht me të rinj. Të ndalohet tregëtimi i objekteve dhe lodrave që ndikojnë në formimin e psikologjisë së dhunës tek fëmijët.

14-Ftohen mediat të kontrollojnë artikujt dhe emisionet që mund të nxisin psikologjinë e dhunës e autoritetin patriarkal në familje, vrasjet për hakmarrje e gjakmarrje dhe të ndalojnë shfaqjen e filmave horror.

15-Ftohen Organizata e Kombeve të Bashkuara, Këshilli i Europës dhe vendet anëtare të BE-së të aktivizojnë të gjitha potencialet e mundëshme për nxjerrjen e Shqipërisë nga situata e vështirë, duke ofruar më tepër asistencë për popullsinë e zonave rurale.

16-Ftohen sindikatat të vlerësojnë më drejt rolin e gruas në strukturat e drejtimit të tyre, të ruajnë balancën gjinore në aktivitete dhe në kushtet aktuale, të fillojnë protestat për ndalimin e korrupsionit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.

17-Ftohen operatorët e shoqërisë civile dhe mediat të kontribuojë më shumë për ndërgjegjësimin dhe transformimin e mentalitetit të burrave shqiptarë, mbasi pozita e tyre para femrës shqiptare e dhuna në familje tregojnë se janë shumë larg emancipimit.

18-Ftohen të gjithë pjesëtarët e shoqërisë të sigurojnë respektin ndaj lirisë dhe të drejtës së tjetrit, për një jetë pa dhunë e pa lëndime duke marrë përgjegjësi të përbashkëta për të gjitha problemet e familjes dhe komunitetit.


KONFERENCA KONFIRMOI

Miratimin e kësaj rezolute si një hap i rëndësishëm për sensibilizimin e opinionit mbi gjendjen e gruas, vajzave dhe fëmijëve në shoqërinë shqiptare dhe mobilizimin e të gjithë faktorëve për ndryshim.

Pranimin e Strategjisë së Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar që, nën përgjegjësine kolektive të komunitetit, po organizon mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave, nxitjen e kurajos së tyre kundër dhunës, shfrytëzimit dhe sundimit maskilist. Mbështetjen e planit strategjik për lirimin e familjeve të ngujuara si dhe rehabilitimin shpirtëror e psikologjik të fëmijëve e grave të traumatizuara nga vrasjet e ngujimi. Komitetet e pajtimit në fshat, po japin rezultate pozitive në disa rrethe për lënien e përgjegjësisë së vrasjes mbi fajtorin që të ndiqet penalisht nga shteti, si dhe denoncimin publik e izolimin nga shoqëria të trafikantëve të armëve, të drogës dhe të femrave.

 

 

 



Bashkëpuntorë