Në fokusin e aktiviteteve dhe botimeve tona **In focus of our activities and our editions**
free flash banner on free flash banner

Sociale

'Nėse njė ditė do tė trokasėsh nė portėn time...'

'Nėse njė ditė do tė trokasėsh nė portėn time...'

Nga Mirela Milori

 

“Nëse një ditë do të trokasësh në portën time”... Askujt prej shqipëtarëve që shikonin, rreth 15 vjet më parë, filmin italian me këtë titull, në televizionin e vetëm shtetëror, nuk i shkonte ndër mend se gjatë 13 viteve të tranzicionit, me qindra familje shqiptare do vuanini fatin e vajzës së trafikuar apo të ikur rrugëve të Europës si prostitutë; askujt nuk i besohej se me qindra prindër do të pëshpërisnin me vehte, tek luteshin për fatin e vajzave të humbura s’dihet se ku: ”Nëse një ditë do të vijë prapë në shtëpi…!!!?”

 

Dëshmi…

 

ANA

 

Isha 16 vjec, po ecja diku pranë parkut Rinia, një makinë frenoi fort pranë meje dhe nuk mbaj mend se si përfundova brenda saj. Më pas, di që jam zgjuar në Vlore e, më tej, mb çuan jashtë. Kalova 2 vitet më të errëta të jetës sime, duke u detyruar të prostituoj për dikë që më shfrytëzonte dhe që më shiti disa herë për të fituar para.

 

MIRA

 

Jemi shumë të varfër në shtëpi. Nëna ime është e ndarë, dhe e martuar përsëri. Jetoja me njerkun. Isha 15 vjeç, kur u njoha me një djalë të fshatit tim. Ai më premtoi martesë, erdhi në shtëpi dhe më kërkoi për nuse. Nëna dhe njerku e dhanë menjëherë pëlqimin por dhe unë e desha. Doja të largohesha nga varfëria. Më çoi në Itali dhe me nxorri në rrugë. E pranova atë punë se e desha atë dhe se doja të fitoja ndonjë lek, por ai s’më jepte asgjë dhe kur fillova të kërkoja para, ai më rrihte.

 

KLARA

 

Nëna më ka vdekur që e vogël. Babai pinte dhe me rrihte vazhdimisht, madje kam ende shenja të dhunës se tij ne trup.Ika me të parin që më kërkoi. Mbasi punova si prostitutë në Itali për disa kohë, ai më shiti te një tjetër dhe përfundova në Kosovë. Mbas muajsh pune nëpër lokale, tutori im i ri më mbylli në një shtëpi mbasi tentova të largohem. Kam provuar dhunë të paimagjinueshme( tregon shenjat e te çarave të thikës dhe të cigareve të fikura nëpër trup). 

 

Historitë janë të ndryshme, fati është i njëjtë. Varfëria, mungesa e shkollimit, krizat familjare, apo thjeshtë etja për fitim, mund të jetë shtysa e parë drejt trafikimit për kontigjentin e vajzave- viktima të trafikut. Nuk është më gjë e re për opinionin tonë, një fenomen i tillë. Shumkush nxiton të jap statistikat dhe shifrat për vajzat apo gratë shqiptare që prostituojnë nëpër rrugët e Europës, duke harruar që, më e rëndësishme për këto vajza viktima, është jeta e tyre mbas kthimit… 

 

Më pas…

 

ANA

 

Më pëlqen të lexoj, do të doja shumë të vazhdoja shkollën e lartë dhe të bëhesha dikush që kur të krijoj familje( nëse do të mundem ndonjëherë) të jem si gjithë të tjerët.

 

MIRA

 

Dua të mësoj zanat, të bëhem rrobaqepëse dhe stiliste. Kështu do ndihmoj dhe familjen time.

 

KLARA

 

Nga dhuna jam e sëmurë, do të doja të shërohesha, njëherë të marr vehten e më pas… kismet..!

 

REALITET …

 

Prej disa vjetësh në Tiranë dhe në Vlorë janë ndërtuar disa strehëza të cilat merren me rehabilitimin e vajzave të trafikuara, strehëza të mbështetura nga shoqata joqeveritare. Që nga shkurti i vitit 2002 deri në shtator të vitit 2003, janë ndihmuar dhe sistemuar 116 vajza shqiptare të cilat kanë marrë pjesë në programe shkollimi dhe punësimi. 60 % e tyre janë përfshirë në kurse trajnimi, 50 % janë sistemuar në punë, ndërsa 5% u është dhënë mundësia e shkollimit. Shumica e vajzave shqipëtare i përkasin grup-moshës 14 deri 20 vjeç, nga të cilat 34 % janë të mitura, 14 deri në 18 vjec.

Një prej vendeve jo vetëm furnizues, por dhe tranzit i trafikut të qënieve njerëzor, Shqipëria, është kthyer shpesh herë në trampolinë për trafikantët të cilët kanë kaluar drejt Europës Perëndimore mijra vajza të huaja, kryesisht nga lindja. Vetëm në Tiranë, gjatë vitit 2000 kanë mundur të shpëtojnë nga rrjeti i trafikimit dhe janë sistemuar nëpër strehëza 125 vajza viktima. Viti 2001 shënon 77 raste, në vitin 2002 janë sistemuar 29, ndërsa në vitin 2003, 86 vajza kanë marrë asistencën e duhur. Mbasi kalojnë periudhën e rehabilitimi në strehëz, të gjitha vajzat e huaja kthehen nëpër vendet e tyre. 

46 % e vajzave të asistuara në strehëza janë rekrutuar nga trafikantët duke iu premtuar martesë, 28 % e rasteve janë grabitur me dhunë, 19 % e vajzave iu është premtuar punësim, ndërsa 6 % iu është premtuar bashkim me familjen. Historia e Mirës është më e shpeshta, martesat me premtimin e jetës dhe ëndrrave pëtej detit, shprishen trotuareve dhe rrugëve të kontinteti plakë.

 

SHTETI…

 

Që në momentin kur vajza e trafikuar kontakton me policinë, ajo është në mbrojtjen e shtetit. Megjithëse policia i ndihmon me asistencë , shpesh këto vjaza janë përsëri në shënjestër të trafikantëve të cilët, edhe pse denoncohen, jo gjithmonë marrin dënimin që parashikon ligji. Problemi ngec në prokurori dhe gjykatë, ku jo rrallë ndodh që dëshmitë apo provat janë të pamjaftueshme dhe çështaj mbyllet. Ky është momenti më i rrezikshëm për vajzën që guxoi “t’i hapë” probleme tutorit të dikurshëm . Ndaj ruajta e viktimave të trafikut nëpër strehëza, dhe ndryshimi i identitetit është e vetmja rrugë shpëtimi për to. Me 14 Korrik 2003, gjithë opinioni publik u njoh me dëshminë e vajzes trembëdhjetëvjeçare nga Mirdita , Albana Prenga, e cila zbriste nga zonat më të thella, bashkë me të atin, Zef Prengën, për të denoncuar publikisht jo vetëm trafikantët, por edhe gjyqtarët e hetuesit që bashkëpunuan me ta dhe i liruan. Ajo, është larguar nga fshati i saj, bashkë me familjen, në një qytet të vogël në Shqipërinë e mesme, por gjithnjë me ankthin e pasigurisë për të nesërmen e në pritje të premtimeve që iu dhanë nga përfaqësuesit e USAID-it dhe të Shoqërisë Civile. Edhe pse vazhdimisht ka pasur dhe ka mbështetjen e familjes dhe Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar, shpresat i ka vetëm tek Drejtori i USAID, Harry Birnholz, i cili me dashamirësi dhe vendosmërinë për t’iu gjendur pranë në çdo çast i ka dhënë edhe një kartëvizitë që ajo e mban në dorë plot besim. Fjala e saj para mediave ishte dëshmia më e qartë e këtij realiteti të dhimbshëm. 

 

FAMILJA…

 

Ndonëse fenomeni është bërë i njohur, përgjatë 13 viteve, përsëri mentaliteti është ende i egër. Familja shqiptare e mbërthyer nga kriza morale, ekonomike e mbi të gjitha nga opinioni, shpesh, mbyll dyert për vajzën që i turpëroi në sy të botës.

 

ANA

 

Familja ime e pati të vështirë të më pranonte, po prindërit u bindën që nuk ishte dëshira ime të merrja atë rrugë.

 

MIRA

 

Mami dhe vëllai i vogël vijnë e më takojnë ndonjëherë në strehëz, fshehtas. Njerku nuk e di që jam kthyer. Nuk e di sa do të rrijë në strehëz, por nuk kthehem më në shtëpi sepse po u ktheva atje do të marr prap rrugët…

 

KLARA

 

Nuk do kthehem më kurrë tek im atë… 

 

MË SHUMË SE PRANIMI…

 

Statistikat tregojnë “fatlumet” të cilat kanë pasur mundësi të kontaktojmë me shoqata joqeveritare, mbasi i kanë shpëtuar kalvarit të trafikut. Por më të shumta janë ato vajza të cilat mbas kthimit në Rinas apo Durrës, janë përpara dilemës, të rikthehen atje ku ishin apo të marrin rrugën drejt shtëpisë, me pikëpyetjen e madhe; “ A do m’a hapin derën?..”

Janë qindra që kthehen pasi kanë “punuar” diku në Itali, Greqi, Belgjikë apo gjetkë, pranë shtëpisë, ku i pret nëna apo babai i turpëruar, dhe lusin vetëm një gjë; Tani që do trokas përsëri në portën e tyre, do Zoti ma hapin…!!!



Bashkëpuntorë