Në fokusin e aktiviteteve dhe botimeve tona **In focus of our activities and our editions**
free flash banner on free flash banner

Sociale

Trafikimi i qėnieve njerėzore pėrbėn nė vetvehte jo vetėm njė krim.

Trafikimi i qėnieve njerėzore pėrbėn nė vetvehte jo vetėm njė krim.

Nga Prof. Farudin Hoxha

ZvKryetar i Akademisë së Shkencave

ViceChairman of Sciences Academy

 

Tranzicioni Shqiptar, i gjatë dhe i vështirë, u përball me sfida shumë të mëdha dhe një ç’thurje të skajshme të një pjese të shoqerisë.

 

Mosfunksionimi i shtetit ligjor ka bërë që të përhapet në mënyrë tragjike dhe shumë të dhimbëshme fenomeni i pasurimit nëpërmjet trafikimit të femrave, , të fëmijëvë dhe të drogës. 

 

Shpesh herë këto veprime janë shoqëruar me vrasje, duke u marrë jetën mjaft shqiptarëve dhe privuar nga gëzimi e lumturia fëmijët e gratë që detyrohen ti nënshtrohen çdo lloj pune për të mbijetuar. 

 

Fatkeqësisht, Shqipëria, edhe pse ka një traditë të mirë e të lashtë të rregullave në komunitet për mbrojtjen e grave e të fëmijëve, është shfaqur si vendi i burimit të dhunës dhe i trafikimit të tyre. 

 

Trafiku i qenieve njerëzore përbën në vetvete jo vetëm një krim, por, në të shumtën e rasteve, ai është krim me veprimtari të shumfishtë, me struktura organizative shumë planëshe, siç janë rrjetet e prostitucionit, të përhapjes së lëndëve narkotike, të shitjes së armëve dhe krijimit të grupeve terroriste. Kjo veprimtari kriminale e organizuar bëhet akoma më e rrezikshme kur lidhet me individë brenda strukturave politike e shtetërore.

 

Vendet perëndimore, Departamenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara e ndjekin me shqetësim të madh këtë fenomen ndërkombëtar, që po fuqizon çdo ditë e më tepër mafien e cila synon marrjen dhe mbajtjen nën kontroll edhe të pushtetit në vendet me demokraci të brishtë.

 

Qeveria Shqiptare i është përgjigjur pozitivisht këtij shqetësimi duke angazhuar për këtë qëllim strukturat shtetërore. Por mungesa e angazhimit të të gjithë faktorëve të shoqërisë ka bërë që strategjia e luftës kundra krimit të organizuar të mos funksionojë siç duhet dhe strukturat shtetërore të mos kenë efektivitetin e duhur. 

 

Shqetësimi ynë është mungesa e angazhimit dhe e përgjegjësisë së organeve të drejtësisë në luftën kundër këtij krimi çnjerëzor. 

 

Sipas Legjislacionit shqiptar, “Trafikimi i njerëzve, trafikimi i femrave për prostitucion, trafikimi i fëmijëve më qëllim fitimi material, ose çdo përfitim tjetër, dënohet me sanksione të rënda nga 5 deri në 20 vjet, ose me burgim të përjetshëm”.

 

Opinioni publik shqiptar ende nuk e ndjen një qëndrim të tillë të organeve të drejtësisë edhe pse policia e prokuroria kanë çuar në dyert e tyre qindra raste për gjykim. Mendojmë se është i nevojshëm edhe rishikimi i ligjit, për të bërë të mundur klasifikimin e këtyre veprimeve si vepra të rënda penale, me pasoja të jashtëzakonshme për jetën e individit dhe të shoqërisë. 

 

Ardhja në Tiranë e një vajze trembëdhjetë vjeçare nga Mirdita për të denoncuar veprimet e trafikantëve dhe të përfaqësuesve të drejtësisë është një dëshmi edhe për qindra raste të tjera që kalojnë në heshtje. Angazhimi i forumit të grave të Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar për marrjen në mbrojtje të kësaj vajze si dhe qindra krijesave të të tjera të pafajshme duhet mbështetur e përkrahur fuqimisht nga e gjithë shoqëria shqiptare. Iniciativa e tyre për denoncimin dhe izolimin nga shoqëria të trafikantëve të femrave, të fëmijëve dhe të drogës nuk do jetë aq e lehtë. Por ajo duhet vlerësuar seriozisht nga shteti shqiptar dhe organizmat ndërkombëtare. 

 

Nuk duhet të përqëndrohemi vetëm tek sensibilizimi i opinionit qytetar dhe atij shtetëror, por të bëhet evidentimi dhe angazhimi i të gjithë faktorëve të mundshëm të shoqërisë. 

 

Mendoj se në thelbin e kësaj lufte të vazhdueshme dhe pa kompromis duhet të jenë:

 

- Masat për reformimin e organeve të drejtësisë. Ato duhet të shoqërohen me plotësimin e kuadrit ligjor sipas standarteve ndërkombëtare dhe kushteve specifike të vendit tonë. 

- Identifikimi i plotë dhe ndëshkimin i rreptë i organizatorëve e ndihmësave të tyre trafikantë. 

 

- Asistenca e specializuar pranë viktimave dhe rehabilitimi i tyre, duke filluar me trajtimin mjeksor e psikologjik dhe më pas krijimin e kushteve për punësim brenda dhe jashtë vendit. 

 

- Sensibilizimi i opininoni publikut, veçanërisht informimi i të miturve dhe i të rinjve për këtë dukuri të shëmtuar dhe antinjerëzore.

 

- Ulja e nivelit të varfërisë dhe të tensioneve politike me pasoja të dëmshme sociale. 

Në rrethet e Lushnjës të Pukës e të Mirditës aktivistet e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar kanë marrë nisma me shumë vlerë që duhen mbështetur nga opinioni shoqëror dhe ai mediatik. Në muajin nëntor të vitit 2002, 112 gra e vajza të komunës së Fier Sheganit inicuan thirrjen e një Konference Kombëtare kundër dhunës e sundimit të mashkullit në shoqërinë shqiptare ku u miratua një rezolutë me shumë vlerë që ka gjetur vlerësimin dhe mbështetjen e opinionit ndërkombëtar si dhe të institucineve të larta të shteti shqiptar, por partitë politike nuk kanë pasur angazhimin e duhur. Aktiviteti publik dhe pjesmarrja e gruas në vendimmarrje është e një niveli shumë të ulët.

 

Përfaqësimi i tyre në zgjedhjet lokale të sivjetshme është më i ulët se në çdo shtet tjetër, anëtar i OKB-së. Ngritja, nga ky komitet, e grupeve treshe të punës në çdo fshat, të përbëra nga përfaqësuesi i shkollës, i pushtetit dhe një mediator, ka siguruar informacionin e saktë dhe ka dhënë rezultate premtuese në zona problematike, jo vetëm për parandalimin e trafikut por edhe forcimin e bindjes qytetare për respektimin rregullit e ligjit në të gjitha drejtimet. 

Angazhimi i vetë qytetarëve për denoncimin e trafikantëve dhe keqbërësve të tjerë është faktori kryesor i ecjes sonë përpara dhe i aspirimit për një shoqëri konteporane. Këtë synojnë dhe kërkojnë të bëjnë aktivistet e këtij Komiteti duke u bazuar dhe në traditën tonë pozitive të vendimmarrjes në komunitet.

 

Ato po organizojnë nën përgjegjësinë kolektive të komunitetit rehabilitimin e fëmijeve dhe grave të traumatizuara nga dhuna dhe trafikimi, lirimin e grave e fëmijëve të ngujuar, braktisjen e formave të poshtërimit ndaj gruas. Puna e tyre e palodhshme është shembulli i cilësive dhe vlerave shpirtërore që kanë vajzat dhe gratë shqiptare. Si intelektual e kam ndjerë dhe do ta kem obligim të vazhdueshëm mbështetjen time ndaj përpjekjeve të tyre.

 

14 Korrik 2003

 



Bashkëpuntorë